Rreth nesh

Rreth nesh

Smartal Servis lindi si ide nga pasioni për këtë profesion e njëherësh, edhe nga nevoja për të përmbushur nevojat e familjes, pa emigruar, por duke u përpjekur për të shërbyer këtu në vendlindje, me shpresë se një ditë mund të bëhet më mirë.

Si një sipërmarrje familjare, Smartal ka investuar pjesën më të madhe të të ardhurave nga ky biznes, në makineri e pajisje të fjalës së fundit për riparimin e telefonave.

Pika jonë e fortë është dhe do të mbetet ndershmëria. Të qenët i ndershëm me klientët, është thelbësore në punën dhe veprimtarinë tonë. Prandaj, një pjesë të mirë, sot më parë se klientë, i kemi miq! Ne ndihemi mirë, kur klientët na i besojnë pa kurrfarë mëdyshjeje, pajisjet e tyre me probleme. Kjo do të thotë shumë për ne.

Ne ju sigurojmë se në rast gabimi apo keq-konstatimi të defektit nga ana jonë, klienti nuk do të paguajë asgjë! Ne udhëhiqemi nga parimi: “Kush gabon, paguan për dëmin!”

Profesioni nuk mbaron kurrë së zhvilluari, por me modesti themi se, ndonëse nuk jemi “më të mirët”, jemi ndër të parët që sollëm një hap cilësor në këtë fushë, siç është riciklimi i ekraneve. Kjo praktikë kërkon një investim në teknologji shumë të lartë, me efekt rëndues për buxhetin tonë, por që nuk na bëri të tërhiqemi aspak. Që nga Janari 2016 kanë kaluar plot pesë vite gjatë të cilave ju na e keni shpërblyer me besimin e mbështetjen tuaj!

Specialiteti

Shërbimi ynë më i veçantë është RICIKLIMI I EKRANEVE PËR CELULARË (Screen refurbishing). Kjo mundëson të kurseni 50 – 70 % të vlerës së ekranit, duke ruajtur të gjitha karakteristikat dhe cilësinë e ekranit origjinal. Kjo u arrit falë përvojës ndër vite, teknologjisë së makinerive, por mbi të gjitha, cilësisë së pjesëve të këmbimit. Përdorim materiale me cilësinë më të mirë në treg. Sidomos për xhamat e ekraneve, xhamat e pasmë të IPhone–it.

Aksesorët

Duke qenë të fokusuar te servisi, kemi vetëm përzgjedhje aksesorësh. Ju sigurojmë për origjinalitetin e disa markave të mira si Hoco, Baseus, Remax etj. Kujdesemi që të ketë përherë ekuilibër midis cilësisë dhe çmimit!

Ky përshkrim që po lexoni nuk do të ekzistonte pa ju! Jemi të vetëdijshëm se, falë klientëve tanë, po rritemi, po mësojmë më shumë dhe po vazhdojmë këtë profesion. Smartal është më se mirënjohës ndaj të gjithëve, edhe ndaj atyre që nuk arritëm dot t’u shërbenim siç e meritonin.

Ju mirëpresim miqësisht!

Lini një Përgjigje